| Te dhenat e nentemujorit per Ndihmen Ekonomike dhe Pagesat e Paaftesise |
| Wednesday, 17 November 2010 12:20 |
|
Në përputhje me strategjine sektoriale të mbrojtjes sociale si dhe në zbatim të objektivit për rritjen e efektivitetit të programeve në CASH, Drejtoria e Inspektimit të Pagesave në CASH dhe Zyrat Rajonale të Shërbimit Social Shtetëror, kanë ushtruar inspektime për zbatimin e legjislacionit të Ndihmës Ekonomike dhe të Aftësisë së Kufizuar. Për periudhën Janar – Shtator 2010 janë inspektuar dhe riinspektuar 416 Njësi të Qeverisjes Vendore. Nga këto inspektime janë konstatuar rreth 5045 raste me një efekt financiar prej 19.054.000 lekë, ku familjet në skemën e ndihmës ekonomike e përfitonin në mënyrë abuzive dhe jashtë kritereve këtë pagesë. Po kështu nga inspektimet e kryera janë konstatuar dhe 696 raste pagesash të padrejta për personat me aftësi të kufizuar, me një efekt financiar prej 8.978.000 lekësh. Për të gjitha rastet është lënë detyrë largimi i menjëhershëm i këtyre familjeve nga skema e ndihmës ekonomike si dhe kthimi i shumave të perfitura padrejtësisht, gjithashtu janë propozuar masat përkatëse për personat përgjegjës. Kështu për nëntë mujorin 2010 janë propozuar gjithsejt 141 masa administrative të ndara këto në 7 largime nga puna, 108 vërejtje me paralajmërim për largim nga detyra si dhe 26 gjoba me nga një dhe dy paga, për personat përgjegjës. Aktualisht në skemën e ndihmës ekonomike trajtohen rreth 96459 familje, ku me ndihmë të plotë trajtohen 32941 familje dhe me ndihmë të pjesëshme 63518 familje. Gjithashtu trajtohen me pegesë paaftësie rreth 132687 persona të ndarë këto në PAK fizik e mendorë 45614 persona, të verbër 11243 persona, para e tetraplegjik 5118 persona, invalid pune 54966 persona si dhe perfitojnë pagesë kujdestarie gjithsejt 15746 persona. Një problem serioz në lidhje me ritjen e numërit të familjeve që trajtohen jashtë kritereve në skemën e ndihmës ekonomike është trajtimi me ndihmë ekonomike nga ana e Këshillave te Komunave apo Bashkive të familjeve, nga buxheti i këtij granti si raste të veçanta, në kundërshtim me Ligjin Nr.9355 datë 10.03.2005, “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”. Kështu mund të themi se vetëm për nëntëmujorin 2010 nga 5045 familje të evidentuara si raste abuzive në skemën e ndihmës ekonomike, 1791 familje janë trajtuar nga ana e Këshillave Vendorë jashtë kritereve të përcaktuara në kuadrin ligjor. Nga këto raste rreth 465 familje në Qarkun e Kukësit, 620 familje në Qarkun e Elbasanit, 270 familje në Qarkun e Dibrës ku nga këta 70 raste janë familje të anëtarëve të Këshillit të Komunave apo Kryepleqve të fshatrave, 140 familje në Qarkun e Shkodrës, 106 familje në Qarkun e Gjirokastrës, 30 familje në Qarkun e Shkodrës, 2 familje në Qarkun e Durrësit, 134 familje në Qarkun e Tiranës dhe 24 familje në Qarkun e Fierit. Nga ana tjetër dhe pse i padukshëm qëndron problemi i presionit që ushtrojnë Kryetarët e Njësive të Qeverisjes Vendore ndaj administratorëve të ndihmës ekonomike, për të trajtuar me ndihmë ekonomike mjaft familje të cilat nuk përmbushin kriteret për tu trajtuar me këtë pagesë. Masat e propozuara nga ana jonë si inspektoriat nuk kanë munguar por theksojmë se ato nuk kanë gjetur zbatim nga ana e titullarëve të njësive të qeverisjes vendore për tu ekzekutuar. Theksojme se nqs nga ana e njësive të qeverisjes vendore do të ishin zbatuar propozimet dhe rekomandimet tona të lëna në aktet e inspektimit, numri familjeve në skemën e ndihmës ekonomike do të ishte në shifrat e rreth 91000 familjeve. Kështu nga informacionet që kemi nga zyrat tona rajonale, rezulton se nga 141 masa administrative që janë propozuar nga ana e inspektoriateve tona për periudhën nëntë mujore, janë ekzekutuar vetëm 8 masa nga ana e titullarëve të qeverisjes vendore, shifër kjo tepër e vogël në raport me atë ç’ka ne kemi propozuar, gjë e cila nxjerr në pah indiferencën e theksuar nga ana e Njësive të Qeverisjes Vendore për të reflektuar në lidhje me problematikat që kanë dalë nga inspektimet tona, në zbatim të legjislacionit të ndihmës ekonomike dhe pagesës së personave me aftësi të kufizuar. |