| SHSSH propozon masa për largimin e përfituesve abuzivë nga skema e NE |
| Wednesday, 19 January 2011 20:39 |
|
Në skemën e ndihmës ekonomike trajtohen rreth 96.459 familje, ku me ndihmë të plotë trajtohen 32.941 familje dhe me ndihmë të pjesëshme 63.518 familje. Me pagesë paaftësie trajtohen rreth 132.687 persona të ndarë këto në PAK fizik e mendorë 45.614 persona, të verbër 11.243 persona, para e tetraplegjik 5118 persona, invalid pune 54.966 persona si dhe perfitojnë pagesë kujdestarie gjithsejt 15.746 persona. SHSSH ka propozuar 141 masa administrative për periudhën e deritanishme, por aktualisht janë ekzekutuar vetëm 8 masa nga ana e titullarëve të qeverisjes vendore, shifër kjo tepër e vogël në raport me atë ç’ka është propozuar, gjë e cila nxjerr në pah indiferencën e theksuar nga ana e Njësive të Qeverisjes Vendore për të reflektuar në lidhje me problematikat që kanë dalë nga inspektimet tona, në zbatim të legjislacionit të ndihmës ekonomike dhe pagesës së personave me aftësi të kufizuar. I njëjti problem qëndron dhe me detyrat e lëna nga strukturat tona të inspektimit në lidhje me largimin e familjeve të cilat janë trajtuar në kundërshtim me kriteret në skemë e ndihmës ekonomike. Nga ana e njësive të qeverisjes vendore nuk është marrë asnjë masë reflektimi në lidhje me zbatimin e detyrave që ne kemi lënë, edhe pse nga ana jonë janë marrë masa drastike deri ne bllokimin e fondeve pë njësi të veçanta. Nëse nga ana e njësive të qeverisjes vendore do të ishin zbatuar propozimet dhe rekomandimet e SHSSH te lëna në aktet e inspektimit, numri familjeve në skemën e ndihmës ekonomike do të ishte në shifrat e rreth 91000 familjeve. Problem serioz në lidhje me ritjen e numrit të familjeve që trajtohen jashtë kritereve në skemën e ndihmës ekonomike mbetet trajtimi me ndihmë ekonomike nga ana e Këshillave te Komunave apo Bashkive të familjeve, nga buxheti i këtij granti si raste të veçanta, në kundërshtim me Ligjin Nr.9355 datë 10.03.2005, “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”. Nga te dhënat operative të grumbulluara nga Zyrat Rajonale ne varësi te SHSSH, 5045 familje janë evidentuar si raste abuzive në skemën e ndihmës ekonomike, ku 1791 familje janë trajtuar nga ana e Këshillave Vendorë jashtë kritereve të përcaktuara në kuadrin ligjor. Nga këto raste rreth 465 familje në Qarkun e Kukësit, 620 familje në Qarkun e Elbasanit, 270 familje në Qarkun e Dibrës ku nga këta 70 raste janë familje të anëtarëve të Këshillit të Komunave apo Kryepleqve të fshatrave, 140 familje në Qarkun e Shkodrës, 106 familje në Qarkun e Gjirokastrës, 30 familje në Qarkun e Shkodrës, 2 familje në Qarkun e Durrësit, 134 familje në Qarkun e Tiranës dhe 24 familje në Qarkun e Fierit. |